Në ditën e 37 të protestës së opozitës, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin, por edhe shtetas të huaj, të cilët i cilësoi “mercenarë të paguar nga paratë e drogës, që janë kundër zgjedhjeve të lira”.
“Sot, nga ky shesh, dua t’i them Edi Ramës dhe mercenarëve të tij që paguhen me paratë e drogës dhe narkomafias shqiptare, mercenarëve të tij shqiptarë dhe mercenarëve të tij të huaj, zyrtarë të shkarkuar për korrupsion nga qeveritë e tyre, që me paratë e drogës shqiptare lehin kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, se Shqipëria dhe shqiptarët kanë vetëm një armik dhe ky armik është tirania e krimit, tirania e korrupsionit, tirania e drogës dhe ne jemi të vendosur ta mundim, ta shporrim dhe ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo tirani”, tha kreu i Partisë Demokratike.
Basha nuk dha detaje se kujt i referohej me këtë akuzë, ndërsa interesimit të Top Channel, zyra e shtypit e Partisë Demokratike iu përgjigj se kreu i opozitës e kishte fjalën për persona të huaj që kanë qenë aktivë me shkrime në shtypin ndërkombëtar.
Top Channel