Rama: Presidenti, me mirëkuptim

25/03/2017 00:00

Kur na ndajnë vetëm pak javë nga data 18 prill për nisjen e proceduarve ligjore për zgjedhjen e presidentit është kryeministri Rama që duke iu përgjigjur pyetjes së një të moshuari ka shprehur bindjen se mazhoranca e tij i ka votat që në raundin e parë për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.

Por, sipas tij, synimi është një tjetër. “Edhe në reformë ne i kishim numrat, ata erdhën ta votonin sepse e dinin që do të votohej. Edhe në këtë rast ne prap besoj se do të bëjmë që presidenti apo presidentja të jetë një figurë që të ketë mirëkuptim apo mbështetje. Ne do bëjmë që presidenti apo presidentja të jetë një figurë që të ketë mirëkuptim dhe mbështetje”, ka thënë Rama.

Deklarata e Ramës vjen në kohën kur opozita ka bojktuar Parlamentin dhe kur maxhoranca i ka 84 votat për zgjedhjen e kreut të shtetit. Por kjo që thotë ai duket se është një synim përtej votave të shumicës.

Ndërkohë, kryeministri ka shprehur bindjen se edhe procesi i vettingut të drejtësisë shqiptare do të realizohet në praktikë pavarësisht bojkotit opozitar. “Ne nuk e lëmë këtë gjë në mëshirë të çadrës. Kjo nuk diskutohet. Se si se qysh, në një mënyrë do ta zgjidhim. Kjo nuk diskutohet”, ka thënë Rama.

Top Channel