
Prej dy ditësh kryetari i opozitës Lulzim Basha gjendet në Shtetet e Bashkuara dhe prej andej nuk ka ende asnjë lajm.
Axhenda amerikane e Lulzim Bashës mbeti e panjohur edhe kur nënkryetari Edi Paloka foli fare shkurt për vizitën e kryetarit të partisë së tij në Uashington.
“Kryetari ynë është në Shtetet e Bashkuara dhe po vazhdon takimet e suksesshme, ndërsa Rama është mbyllur në zyrë”, deklaroi Paloka.
Përfaqësuesit e opozitës kërkuan largimin e Kryeminisrit Rama për t’i hapur rrugë qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të lira.
“Për pushtetin e vet, Rama është gati të djegë gjithçka, ndërsa ne demokratët nuk këpusim asnjë lule. Por ta dijë se zgjedhje me banda nuk ka”, tha Paloka.
Por Sali Berisha, megjithëse foli për protestë paqësore, nuk e kishte fjalimin me lule kur bëri paralelizmin e largimit të Edi Ramës nga pushteti me atë të Manuel Noriegës nga amerikanët.
“Edi Rama ik! Popullit po i mbaron durimi. Nuk do të vijnë marinsat, por këta rambot shqiptarë dhe të të kërrejnë kudo të jesh, në zyrë, në bunker…”, tha ai.
Top Channel