
Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, në orët e fundit para se të ulet në karrigen e ministrit të Brendshëm, ka arritur të mbledhë votat e deputetëve socialistë dhe të LSI-së për të miratuar Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal, dy nga 27 ligjet që përbëjnë reformën në drejtësi.
Xhafaj mori përgëzime nga nënkryetari i LSI-së, Luan Rama për rolin e tij në hartimin e reformës së re në drejtësi.
“Përveç falenderimit të punës shumë të mirë të bërë nga ekspertët e huaj dhe vendas, dua të bëj një falenderim të veçantë për ju si kryetar i komisionit që keni drejtuar këtë proces me kaq vështirësi dhe me kaq komplikacione duke e kurorëzuar me sukses”, tha Rama.
Për herë të parë përfshihet në Kodin e Procedurës Penale, roli i gjyqtarit të seancës paraprake, i cili kur prokurori përfundon hetimet do të vendosë nëse ka lëndë për gjykatë apo jo.
Në këtë mënyrë gjykatësi i seancës paraprake do të kontrollojë të gjithë vendimarrjen e Prokurorit në ushtrimin e ndjekjes penale dhe hetimit në momentin e përfundimit të hetimeve. Këtë rol e luante deri më tani Prokurori i Përgjithshëm.
Projektligjet për Kodin Penal i kalojnë seancës plenare, ku opozita vijon bojkotin dhe për t’u miratuar duhet shumicë e cilësuar prej 84 votash të deputetëve.
Top Channel