
Kryeparlamentari Ilir Meta do të përsërisë së shpejti shortin me gogla për të zëvendësuar 2 anëtarët e dorëhequr nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Mirela Fana e zgjedhura e Gjykatës së Lartë dhe Vladimir Kristo, që përfaqësonte Gjykatën Kushtetuese.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhej te ishte sot organi i parë i arkitekturës së sistemit të drejtësisë pas Kushtetutës së miratuar në 21 korrik, i perbere nga 9 anëtare me një mandat 1-vjeçar.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Ndërkohë, sipas deputetit socialist, Ulsi Manja bllokimi i vettingut në Parlament nga bojkoti i opozitës nuk lejon ngritjen e asnjë prej institucioneve të reja të drejtësisë.
“Me bllokimin e vettingut, opozita e ka kapur prej fyti zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë. E kishte detyrim kushtetues”, deklaroi deputeti socialist.
Mazhoranca pret dokumentacionin nga Avokati i Popullit për kandidatët zyrtarë për organet e vettingut për të vijuar procedurat për komisionet “ad hoc” të vettingut me miratimin e 3 anëtarëve të saj, ndërsa do të lihen bosh tre vendet që i takojnë opozitës.
“Ne si maxhorancë me mbërritjen e dokumentacionit nga Avokati i Popullit do të vazhdojmë me procedurat parlamentare për ngritjen e komisionit ‘ad hoc’ duke dërguar përfaqësuesit e shumicës në këto komisione. Pastaj topi ngelet në fushën e opozitës”, thotë Manja.
Top Channel