
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi paralajmëron krizë institucionale.
“Kërkohet me këmbëngulje që në Shqipëri të krijohet një krizë institucionale. Kërkohet që në shtator Shqipëria të mos ketë President, të mos ketë zgjedhje e të mos ketë Parlament. Pra, që Shqipëria të ngelet edhe pa qeveri. Kjo është kriza e vërtetë”, tha Ruçi.
Sipas Ruçit, kjo krizë e çon vendin në destabilizim: “Se kush është në pushtet, këtë e vendos vetëm elektorati. Por, përgjegjshmërinë për stabilitetin e vendit duhet ta kemi të gjithë. Shqipëria e ka provuar me haraç shumë të madh destabilitetin e vendit. E pamë në vitin 1997 se çfarë ishte destabiliteti. Shqipëria nuk ka më takat”.
Pas Ruçit në Fier, ngjarjet e vitit 1997 ishin pjesë edhe e fjalimit të ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nga Vlora.
“Marsi i vitit 1997 shkërmoqi plotësisht strukturat tona ushtarake, sipas një skenari të qartë dashakeqës për të mbrojtur me çdo kusht pushtetin e ndonjë individi, i cili urdhëroi makabritete që asnjë udhëheqës europian nuk ia ka bërë vendit të tij. E prapë, në marsin e vitit 2008, po e njëjta klikë hodhi në erë një fshat të tërë, duke shkaktuar 26 të vdekur, nga babëzia për të përfituar nga arsenali ushtarak. I kemi sot mes nesh, të angazhuar që të pengojnë reformën në drejtësi”, deklaroi Kodheli.
Top Channel