Basha për ndryshimet: Karikaturë e shëmtuar e “Rilindjes”

12/03/2017 12:10

Në ditën e 23-të, protesta e opozitës kishte në fokus artin e karikaturës. Por Lulëzim Basha gjeti rastin të bënte një paralelizëm me zhvillimet politike të ditës.

“Pak metra prej këtej po ndodh një mbledhje ku po shkarkohen disa shërbëtor të qeverisë.Ajo që po ndodh është në fakt një karikaturë, por jo nga këto të bujar kapexhiut. Është një karikaturë e shëmtuar e të vetquajturës Rilindje”, tha Basha.

Kreu i opozitës i quajti ndryshimet e paralajmëruara në qeveri si një përpjekje e dëshpëruar e Edi Ramës për të shpëtuar veten.

“Çdo përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë personale me shkarkimin e shërbëtorëve të tij nxjerr zbuluar interesin e vërtetë të tij. Është gati të sakrifikojë gjithçka për pushtetin dhe pasurinë personale siç sakrifikoi Partinë Socialiste duke shpikur rilindjen e kriminalizuar deri në palcë”, u shpreh Basha.

Por Basha tha se truket politike nuk mund të mashtrojnë dot opozitën, e cila sipas tij është e vendosur në betejën e saj.

“Çdo truk, çdo manovër për t’i hedhur hi syve shqiptare për t’ia u dhënë sapunin për djathë ose Tahirin për Ramë është e papranueshme. Protesta vazhdon dhe do të vazhdojë deri në largimin e Edi Ramës deri në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë popullore, që do të zbatojë ligjin e dekriminalizimin, pra largimin nga postet drejtuese të shtetit të çdo krimineli që është turpi i republikës së vjetër, që është fundi i republikës së vjetër”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA