Vlorë, Delta Forcë ndërpret operacionin për rekuperimin e gomones

11/03/2017 00:00

Forcat detare nuk kanë mundur të përfundojnë operacionin për të sekuestruar drogën që ndodhet në një gomone që ka ngecur në brigjet e ishullit të Sazanit.

Pas 12 orë në ujë, Forcat e Policisë kufitare dhe ato të Delta Forcë nuk kanë mundur të arrijnë deri në vend për shkak të detit të trazuar.

Sipas burimeve policore, gomonia e gjetur e braktisur ka në bordin e saj më shumë se një ton drogë, pa llogaritur edhe shumë pako të tjera që janë hedhur në det.

Burimet shtojnë gjithashtu se trafikantët, për të cilët ende nuk ka asnjë informacion, mund të jenë shpëtuar nga ndonjë mjet i vogël që u ka ardhur në ndihmë, ose edhe të jenë mbytur.

Gjatë orëve të paradites një anije iu afrua gomones së ngarkuar me hashash, por pa mundur të përmbyllë operacionin. Mjeti është i gjatë rreth 9 metra, me dy motorë të fuqishëm 300 k/c, njëri prej të cilëve ka rënë në det nga përplasja me shkëmbin.

Ndërkohë, disa ditë më parë policia e Vlorës gjeti në bregdetin e Zvërnecit një trup të pajetë, që dyshohet ta ketë nxjerrë deti, por nuk ka ndonjë provë që i lidh këto dy ngjarje.

Delta Forcë dhe Policia Kufitare pritet që të rinisin operacionin gjatë ditës së dielë, me përmirësimin e kushteve të motit.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel