
Mori formën e prerë vendimi kundër 7 të dyshuarve si anëtarë të bandës së tritolit, e cila ka vepruar në vend në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke porositur vrasje që nga ato kundër konkurrentëve deri tek ato për të krijuar panik në popullatë sikurse shpërthimi në banesën e ish-deputetit Ardian Kollozi.
Me dy dëshmitarë drejtësie, fjala e njërit prej të cilëve mbylli dyert e Gjykatës së Krimeve të Rënda për aq sa zgjati edhe procesi kundër grupit, Apeli i Krimeve të Rënda la në fuqi verdiktin e shkallës së parë për tre anëtarët dhe kreu ndryshime për të tjerët.
Andon Mëhillaj që konsiderohet si njeri prej krerëve të grupit u dënua edhe nga Apeli me burg të përjetshëm. U la në fuqi gjithashtu dënimi për Genis Mëhillajn i arrestuar pak ditë më parë, ai do të vuajë 10 vjet burgim, ndërsa dënim i njëjtë prej tetë vitesh u dha edhe për njeriun që gjente lëndët plasëse dhe armët Albin Mexhaj.
Drejtësia foli edhe për vrasësin me pagesë Julian Sinanajn, të cilit ju ulën pesë vjet burgim të tjera. Për shkak të statusit si dëshmitar i drejtësisë, ai i shpëtoi burgimit të përjetshëm.
Gjyqtari i Apelit, Gurali Brahimllari tha se Sinanaj dënohet me 30 vjet burg dhe për 25 vjet shteti shqiptar ka detyrën të sigurojë jetën e tij çka do të thotë se gjatë kësaj periudhe, ai nuk do të mbahet në të njëjtat kushte si të dënuarit e tjerë, por do të ruhet edhe në burg nga reparti i mbrojtjes së dëshmitarëve.
Julian Sinanaj ka rrëfyer se është paguar për disa episode kriminale. Apeli e konsideroi atë fajtor duke i dhënë 12 vite burgim edhe për vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi.
Ndryshe nga sa kishte deklaruar në polici këtë episod, ai e mohoi në gjykatë. Sinanaj u konsiderua fajtor edhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e ngelur në tentative të biznesmenit Pirro Bare, një plan kriminal ky për të cilin u dënua me pesë vjet burgim edhe biznesmeni Ilir Karçini. Bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë Ndriçim Gjokona u dënua me tetë vjet burgim, po aq mori edhe Marjon Mitro.
Top Channel