Idrizi: PS dhe PD nuk bënë asgjë për votimin elektronik

06/03/2017 00:00

Nga Vlora, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi u shpreh se është pro votimit dhe numërimit elektronik, por i akuzoi dy partitë e mëdha që nuk bënë asgjë për këtë deri më sot.

“Përsa i përket votimit dhe numërimit elektronik, PDIU-ja ka mbështetur dhe do të mbështesë këtë sistem. Do doja sot t’i pyesja partitë e mëdha, se ku ishin në një vit e gjysmë? Komisioni për Reformën Zgjedhore ishte aty dhe nuk u mblodh. Unë sot prapë jam dakord për votimin dhe numërimin elektronik, por nuk e di nëse është e mundur të bëhet me kohën e mbetur”, tha Idrizi.

Në takimin me strukturat, Idrizi tha se partia e tij ka mbështetur reformën në drejtësi pa asnjë lloj kushti dhe mbetet e vetmja parti që ka marrë nisma të rëndësishme: “Jemi e vetmja parti politike që ka marrë nisma për hapjen e dosjeve, apo për heqjen e medaljeve për diktatorin Enver Hoxha”.

Idrizi është i bindur se në zgjedhjet e radhës, partia e tij do i dyfishojë mandatet e saj në Parlament. Ndërsa, përsa i takon koalicionit, tha se u bashkua me mazhorancën për shkak të kauzave dhe jo për marrëveshje politike.

“Nëse do të ishte për marrëveshje, ne nuk do të kishim asnjë arsye që të qëndronim në këtë mazhorancë, sepse as 1% e marrëveshjes që ne kemi bërë nuk është zbatuar”, deklaroi Idrizi.

Një mesazh e kishte edhe për kundërshtarët e tij: “Nuk ka sot puthadorë të Athinës, që të mund të na ndalin në rrugën tonë. Çështja e shqiptarëve të Çamërisë është një çështje e të gjithë shqiparëve dhe fillon nga heqja e ligjit të luftës”.

Top Channel