
Anëtarja socialiste e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi, nga selia rozë u ka bërë thirrje në Top Story, kolegëve të opozitës që brenda javës së ardhshme të ngrenë komisionin e vlerësimit për kandidatëve për komisionet e vettingut.
“Besoj se Basha do të reflektojë. U bëj thirrje kolegëve që të vijnë në Parlament. Të flasin me kolegët e tyre që nuk janë aq të formuar. Më 22 korrik kemi votuar me 140 vota dhe nëse e kanë pasur seriozisht këtë votë, ta provojnë këtë duke e përmbyllur këtë proces”, u shpreh ajo, ndërsa më herë vlerësoi se mazhoranca ka të gjithë vullnetin për të përmbyllur këtë çështje. “Mazhoranca nuk është aspak fajtore për ecurinë e Reformës. Janë miratuar ndryshimet kushtetuese dhe mazhoranca ka pasur vullnet, pasi në të kundërt nuk do të kishim ecuri. Opozita ka përdorur të drejtën e saj për të çuar në Gjykatën Kushtetuese, Vettingun, duke shkaktuar vonesë”.
Kthimin e dosjeve të kandidatëve tek Avokati i Popullit, Vasilika Hysi nuk e vlerëson si rikthim në pikën 0 të Vettingut, pasi janë miratuar një sërë ligjesh dhe procesi është shtyrë për 1 javë.
“Jo Vettingu nuk është kthyer në pikën 0. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të bënte atë proces. Është një veprimtari, me të cilën Avokati i Popullit merret. Numri i madh i aplikantëve ka bërë që verifikimi i kritereve nga ana e Avokatit të Popullit të mos ishte ai që duhet.
Për Vasilika Hysin nuk është as lapsus dhe as shkelje e Kushtetutës, kthimin i procesit tek Avokati i Popullit. “Sepse komisioni duhet të bëjë përzgjedhjen dhe nuk mund të bëhet përzgjedhje nëse ke më pak kandidatë”, tha anëtarja socialiste e Komisionit të Ligjeve, e cila vuri në dukje se institucioni i Avokatit të Popullit duhet të ishte më tepër praktik në çështje.
“21 kandidatë nuk është garë. Në këshillin e përkohshëm të emërimeve në drejtësi nuk është garë. U ftuan juristët më të zotë. Pa dashur të rëndoj Avokatin e Popullit, por kur këta kandidatë plotësonin dosjet, duhet të kishte një sekretariat që të thoshte se të mungon mbrojtja e gjuhës, apo edhe që ke një çertifikatë, por nuk e ke të noterizuar”, u shpreh Vasilika Hysi.
Top Channel