Vlorë, ministri Gjiknuri firmos peticionin pro Reformës në Drejtësi

05/03/2017 00:00

Peticionin në mbështetje të Reformës në Drejtësi, ministri i Energjetikës Damian Gjinkuri e ka vlerësuar si një lëvizje popullore për këtë reformë, duke theksuar se peticionin po e firmos jo vetëm si politikan, por edhe si qytetar.

“Populli shqiptar po e kupton përditë. Të gjithë politikanët më të lartë të Bashkimit Europian dhe partnerët ndërkombëtarë po e theksojnë se, rruga e vetme për Shqipërinë europiane është Reforma në Drejtësi dhe procesi i ‘vetting’-ut. Populli ka një nevojë ulëritëse për drejtësi dhe ky është momenti historik që për drejtësinë të bëhet Reforma e Drejtësisë, të bëhet procesi i ‘vetting’-ut dhe Shqipëria të integrohet në Bashkimin Europian, gjë për të cilën ky është kushti i vetëm”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë.

Nga Vlora, ministri Gjiknuri tha se Reforma në Drejtësi është pengesa e fundit drejt rilindjes së vendit, duke e cilësuar çdo lëvizje tjetër brenda apo jashtë tendës, si pengesë të vullnetit të popullit. Bashkë me të, peticionin pro Reformës në Drejtësi e firmosi edhe kryebashkiaku Dritan Leli.

Ndërkohë, në Tiranë, në një nga çadrat e ngritura për firmosjen e këtij peticioni, shoqata e emigrantëve “Shqiptarët e Zakinthos” dorëzuan një listë me 300 firma pro vetting-ut.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel