
Pavarësisht debatit të ndezur politik të ditëve të fundit, kur opozita nga çadra e protestës këmbëngul në kërkesat e saj për qeveri teknike e largimin e kryeministrit Rama, nga Vlora, Ilir Meta thotë se LSI mbetet shtyllë kryesore e stabilitetit politik në vend.
“Mbështetja për LSI-në rritet, sepse të gjithë e shohin që LSI-ja është shtylla kryesore e stabilitetit politik në vend, është një shtyllë kryesore e paqes sociale, e dialogut dhe e bashkëpunimit”, tha Ilir Meta, kryetar i LSI-së.
Të premten, Meta dhe Rama, si dy bashkëkryetarë të koalicionit qeverisës i bënë ftesë opozitës për t’u ulur në një tryezë për të dialogur për kërkesat e saj. Por Partia Demokratike ka deklaruar se ulet në tryezë vetëm për qeverinë teknike dhe largimin e Ramës nga posti i kryeministrit.
Ndërkohë, një ditë para seancës së jashtëzakonshme të Parlamentit për ngritjen e komisioneve të “vetting”-ut, Ilir Meta thotë se nuk po kërkon të përfitojë nga zhurma e debatit politik.
“Ne nuk jemi një forcë oportuniste, që njëherë i bëjmë qejfin njërit e njëherë tjetrit”, tha Meta.
Deklaratat, Ilir Meta i bëri nga Vlora gjatë një takimi me strukturat e LRI-së atje, ku theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim është partia e të rinjve.
“Për ne të rinjtë nuk janë një fasadë. Për ne të rinjtë janë e sotmja dhe e ardhmja e Vlorës dhe e gjithë Shqipërisë. Ne duam t’i japim një shtysë të fuqishme angazhimit tuaj dhe të gjithë të rinjve, protagonizmit tuaj, në mënyrë që askush prej jush të mos e shikojë të ardhmen jashtë Vlorës dhe jashtë Shqipërisë”, deklaroi Meta.
Top Channel