Basha: E pres Ramën në çadër nëse jep dorëheqjen

05/03/2017 00:00

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e pranoi ofertën e kryeministrit Edi Rama për tu ulur brenda çadrës së protestës, por me kushtin që më parë Rama të japë dorëheqjen dhe të lejojë qeverinë teknike.

“Nëse e ka dëgjuar këtë zë, ka zënë mend dhe me të vërtetë dëshiron që të zhbllokojë rrugën evropiane të Shqipërisë, atëherë do ta mirëpres në këtë çadër për të firmosur qeverinë teknike. Kjo çadër ta mirëpresë si të penduar. Nëse kjo është një tjetër lojë, i them sot se koha për lojëra ka mbaruar dhe në atë rast nuk ke pse të vish në këtë shesh, por sheshi do të vijë te ty”, tha Basha.

Duke iu referuar akuzës se opozita po e bllokon vetting-un 24 orë nga seanca e Kuvendit e thirrur nga kryetari Ilir Meta, Basha tha se është Rama ai që po e bllokon hyrjen e Shqipërisë në Evropë me drogë dhe me krim.

“7 kushte për t’i hapur dyert Shqipërisë ia numëruan gjermanët. Rama po e bllokon rrugën e Shqipërisë për në Evropë. Këtë e dinë mirë gjithë Evropa, me përjashtim të ndonjë të keqinformuari”, tha Basha.

Top Channel