Rama: Dialog edhe në çadër. Basha: Me zgjedhje të lira kryeministri në burg

04/03/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama avancoi me ftesën drejtuar opozitës për dialog pa kushte, edhe brenda çadrës së protestës. Por në prag të seancës së të hënës në Parlament, të thirrur nga kryetari Meta për votimin e komisioneve të Vettingut, kryeministri thotë se opozita nuk duhet të mbajë peng drejtësinë.

“Ne do diskutojmë çdo gjë, opozita ka të drejtë të kërkojë qeveri teknike, hidraulike, inxhinierike. Ne kemi detyrën t’i dëgjojmë, po jo t’i plotësojmë. Është momenti që PD mos të përfitojë dhe keqpërdorojë faktin që ka 50 % mundësi në ligjin për Vettingun. Opozita ka detyrë të zbatojë Kushtetutën. Në çadër mund të qëndrojë sa të shohë të arsyeshme për çështje të tjera, po jo për Vettingun. Askush nuk mund ta ndalë dot Vettingun”, u shpreh Rama.

Dialogun me qeverinë, kreu i demokratëve Lulzim Basha e sheh vetëm për një qëllim, qeverinë teknike.

“Ka dialog për të përcaktuar vetëm largimin tënd dhe ardhjen e një qeverie teknike. Nuk do të negociojmë futjen tonë në qeveri, jo. Ne do të jemi opozita derisa qytetarët shqiptarë me votën e tyre të lirë dhe të ndershme të vendosin se kush do ta qeverisë këtë vend”, tha Basha.

Lulëzim Basha duket i prerë kur thotë se pa garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk ka kthim në parlament.

“Ai e di fare mirë se me zgjedhje të lira dhe të ndershme, jo vetëm humbet por përfundon para drejtësisë, me gjasë pas hekurave. Prandaj, ai po bën gjithçka që me 18 qershor mos të ketë më zgjedhje. Kthim në Parlamentin e krimit për sa kohë nuk janë garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk do të ketë”, tha kreu i PD-së.

Edhe se nuk përcaktoi formatin e tryezës së dialogut, kryeministri la të hapur diskutimet për ndryshimet në kodin zgjedhor.

“Nëse opozita është vërtetë e shqetësuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme me standarde edhe më të larta se ato që kemi pasur më parë, është e mirëseardhur. Ne jemi me sy e veshë për të parë dhe për të dëgjuar konkretisht propozime konkrete dhe realiste në mënyrë që t’i bëjmë menjëherë pjesë të legjislacionit të zgjedhje”, u shpreh kryeministri.

Top Channel