
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 16 personat e arrestuar dy ditë më parë, të cilët pas 10 muajve hetim nga Prokuroria dhe Policia e Shkodrës janë vënë nën pranga nën akuzën e kultivimit e shitjes së lëndëve narkotike kanabis sativa dhe të shpërdorimit të detyrës.
Para trupit gjykues kanë dalë dy të arrestuarit e parë kryepleqtë e Njësisë Administrative Pult, Dritan Lisja dhe Gjin Lushi, ndaj të cilëve është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg”, me akuzën e kultivimit e shitjes së lëndëve narkotike dhe shpërdorimit të detyrës.
Më pas është dhënë dhe masë “arrest me burg” dhe për punonjësin e FNSH-së Ardian Loci nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Punonjësi i policisë, Ardian Loci, duke mos pranuar akuzën është shprehur nën lot se, “kam një vajzë të sëmurë dhe një shtëpi që ende nuk ka pllaka. “Jetoj në kushte të vështira dhe nuk ka kush kujdeset për familjen”. Por pavarësisht kësaj kërkese, trupi gjykues ka dhënë arrest me burg për punonjësin e policisë.
Seanca ka vazhduar duke shqyrtuar një nga një dhe vlerësimet e masës së sigurisë dhe për 13 të arrestuarit e tjerë.
Top Channel