
Kur komunikimi për bordin e ONM-së zgjati disa javë përmes një letërkëmbimi të gjatë, më në fund palët kanë vendosur të ulen përballë.
Duket se e treta letër e ministrit të Drejtësisë Petrit Vasili që u pa edhe si një përgjigje ndaj letrës së shefes së ONM-së, ka çuar në zyrën e tij ambasadoren Vlahutin së bashku me Calaverën.
Takimi mes tyre zgjati 45 minuta, por palët kanë rënë dakord që çka është diskutuar në tryezë të mbahet jashtë vëmendjes së publikut.
Jo zyrtarisht mësohet se është folur në rrafsh teknik për ONM, aq më tepër kur ditët e fundit ministri Vasili ngriti shqetësimin për autorizimin nga qeveria për një marrëveshje ndërkombëtare që më pas duhet të miratohet, si dhe kërkoi caktimin sa më parë të përfaqësuesit shqiptar në komitetin drejtues të projektit.
Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Calavera ishte në takim gjatë ditës edhe me presidentin Bujar Nishani, i cili ka theksuar domosdoshmërinë e shmangies së çdo tentative për politizimin e procesit, si edhe ka nënvizuar konsensusin dhe besueshmërinë si dy elementë të rëndësishëm për reformën në drejtësi.
“Përfshirja e ndërkombëtarëve në Kushtetutën e vendit, edhe pse përbën një rast unik është gjykuar si thelbësore për zbatimin efikas të reformës”, është shprehur presidenti, i cili ka kërkuar zbatimin rigoroz të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit nga të gjitha palët, përfshirë edhe ndërkombëtarët.
Top Channel