Çadra e PD, mungon Basha; Berisha: Qeveria, kartel droge

02/03/2017 00:00

E sotmja është e enjtja e dytë që deputetët demokratë improvizuan fjalimet e tyre jashtë Parlamentit.

Në çadrën e protestës mungoi kreu i opozitës, Lulzim Basha, por për nga rëndësia e mesazhit, vendin e tij e zuri Sali Berisha, i cili e krahasoi qeverinë Rama me një kartel droge.

“Vendi me drogë u mbush vetëm e vetëm për një qëllim: që të helmohet vota, që vota të drogohet me çdo kusht, që kanabisi të përcaktojë vullnetin e shqiptarëve. A mund të votohet në një vend ku në të katër anët e vendit sundojnë bandat e armatosura të kanabisit?”, tha Berisha.

Për të argumentuar se kanabizimi i vendit ishte vullnet i qeverisë, ish-kryeministri përdori statistikat, sipas të cilave në vitin 2010 në Itali u kapën 65 kg kanabis, ndërsa në vitin 2016, 150 tonë.

“Ti tallesh me qytetarët, tallesh me shqiptarët kur thua se po ndërton shtet. Ti po ndërton shtetin e krimit, po ndërton shtetin e drogës, po ndërton banditokracinë”, tha Berisha duke iu drejtuar Ramës.

Sali Berisha nuk përmendi asnjëherë kushtin për të cilin flet çdo ditë Lulzim Basha, qeverinë teknike, por një mesazh për Edi Ramën e kishte.

“Herët ose vonë, ne që jemi këtu do të faktojmë ty se votën jemi të gatshëm t’a mbrojmë me çdo çmim, t’a mbrojmë me çdo kusht, të mos ia dorëzojmë kujt kurrë përveç vullnetit tonë! Fitore, fitore!”, tha Berisha.

Top Channel