Rama: “Vetting”-u s’ndalet. Nuk ka të drejtë ta bllokojë asnjë deputet

01/03/2017 00:00

Kryeministri Rama ishte i prerë në qëndrimin e tij në Shkodër se “vetting”-u është shqetësimi më i madh për vendin dhe se askush nga ligjvënësit nuk ka të drejtë ta bllokojë atë.

“Kemi të drejtë ne, ligjvënësit, që kemi detyrë kushtetuese të votojmë për të ngritur këto komisione, t’i themi ‘Jo, sepse kemi një puën tjetër’. Çfarë pune më të rëndësishme kemi ne sesa të drejtat e njerëzve”, deklaroi Rama.

Në një takim me studentët në Shkodër, pasi analizoi një sërë rastesh të gjykimeve të padrejta, Rama tha se çdo ditë në gjykatat shqiptare mohohet një e drejtë, ndaj pa “vetting”-un asnjë qeveri teknike nuk është në dobi të shqiptarëve.

“Sot në darkë, viktimat do të shkojnë në shtëpi e do të shohin që na duhet një qeveri teknike. Për çfarë na duhet një e tillë? Neve na duhet ‘vetting’-u sot, sepse me çdolloj qeverie, këta janë mbi qeveritë”, deklaroi më tej Rama.

Rama iu përgjigj edhe akuzave të bëra nga opozita se “vetting”-u i shërben vetë, Partisë Socialiste.

“Kriminelët, nëse lirohen, i lirojnë gjykatësit. ‘Vetting’-u është që gjykatësit të japin llogari dhe këtë nuk e japin përpara selisë së Partisë Socialiste, por përpara një komisioni, i cili vëzhgohet nga një ekip ndërkombëtar prokurorësh dhe gjykatësish amerikanë dhe europianë, që nuk e lënë komisionin të çmendet. Atëherë ky problem zgjidhet duke vënë një vijë të qartë ndarëse midis botës së krimit dhe botës së ligjit. Botën e ligjit e përfaqësojnë gjykatësit”, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh se, si pasojë e vendimeve të padrejta në gjykata, shteti paguan një numër të madh doganierësh dhe policësh të shkarkuar për korrupsion.

Top Channel