
Rreth 1 mijë qytetarë të Elbasanit kanë firmosur vetëm ditën e mërkurë peticionin për zbatimin e Vettingut, nismë kjo e cila prej 5 ditësh po vijon në këtë qytet.
Gjatë ditës së mërkurë pranë çadrës së ngritur për këtë qëllim, kanë firmosur deputetja Evis Kushi si dhe zyrtarë vendorë.
Deputeti i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla, ka cilësuar si mjaft kritike situatën aktuale sa i takon zbatimit të Vettingut.
Sipas tij, Basha dhe Berisha me bojkotin që po i bëjnë parlamentit, bojkotojnë dhe punën për ngritjen e komisioneve të Vetting-ut dhe për rrjedhojë bllokojnë edhe integrimin europian të vendit.
“Shqiptarët duhet të bëhen të gjithë bashkë për të çuar përpara procesin e Vettingut. Vettingu është elementi thelbësor në të gjithë reformën e drejtësisë. Kush është sot kundër Vettingut është kundër interesit kombëtar të shqiptarëve për një drejtësi të pastër, për një drejtësi të pastruar nga elementët e korruptuar. Nga Elbasani i bëj thirrje të gjithë popullit t’i bashkëngjitet kësaj iniciative kaq të shkëlqyer të shoqërisë civile”, tha Balla.
Top Channel