Basha: Droga po kthehet në një katastrofë sociale

01/03/2017 00:00

Droga dhe përhapja e saj në shoqërinë shqiptare ka qenë fokusi i fjalimit të radhës të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, pasditen e së hënës.

Nga çadra e protestës, Basha ka theksuar se, rritja e konsumimit të narkotikëve nga të rinjtë shqiptarë ka marrë përmasa alarmante.

“Droga është bashkëpronare e republikës së vjetër. Droga po shkatërron Shqipërinë dhe brezin e ri të saj”, ka thënë Basha.

Ai ka theksuar se, droga ka depërtuar “në mënyrë tinëzare” në të gjitha strukturat e shoqërisë.

“Drogimi i shqiptarëve është gjëma e fundit e zezë për të cilën kjo qeveri do të mbahet mend. Konsumi i drogës nga brezi i ri është pasojë e kultivimit të saj”, ka vijuar Basha.

Ai ka shtuar se, për këtë arsye “republika e vjetër duhet të shembet me çdo kusht”. “Kauza jonë mbetet zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, ka thënë Basha.

Top Channel