Njëri drejtësisë, tjetri zgjedhjeve. Rama: Vodhën pronat; Basha: Vodhën votat

28/02/2017 00:00

Në një takim me biznesin, kryeministri Edi Rama deklaroi se korrupsioni në drejtësi ka sjellë dëme të jashtëzakonshme për sipërmarrjen, por edhe për buxhetin e shtetit. Ndaj shembja e sistemit të vjetër nuk do të rrezikojë më ekonominë dhe do të rrisë investimet.

“Kjo rritje e mëtejshme kalon përmes shembjes së sistemit të vjetër të drejtësisë. Kalon përmes goditjes së këtyre gjykatësve dhe prokurorëve, që e kanë shkatërruar bazën e shtetit shqiptar për 25 vite me vendime të tilla. Vettingu nuk është një çështje politike, nuk është as çështje partiake, nuk është një çështje interesash të pjesshme, por është një çështje e një interesi të madh kombëtar. Këta mjeshtra, që prej 20 e ca vitesh e kthyen drejtësinë në tregun më të madh në këtë vend, duhet të zhduken nga rruga e këtij populli dhe e sipërmarrësve të këtij vendi”, tha Rama.

Ndërkohë, në të dyja takimet e ditës së 11 të protestës së opozitës ra në sy se, për herë të parë Lulzim Basha nuk përdori termin “qeveri teknike”, ndërsa ripërsëriti kërkesën për zgjedhje të lira e demokratike.

“Së bashku do t’ia dalim t’u japim shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe drejtësi të vërtetë e të pakapur. Vetting me kriminelët në pushtet nuk ka! Vetting me narkotrafikantët në pushtet nuk ka! Vettingu i vërtetë, drejtësia e vërtetë do të vijnë vetëm kur të jetë hapur rruga për zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme, për demokraci të vërtetë. Në këtë republikë të re, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria, Avokati i Popullit, komisionet hetimore parlamentare do të jenë të gjitha ekskluzivisht nën kontrollin e opozitës”, theksoi Basha.

Top Channel