Vasili: ONM, çështje e zgjidhshme

27/02/2017 00:00

Petrit Vasili ka shmangur qëndrimin nëse çështja për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe bordin e tij duhet të zgjidhet në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk kam një prononcim të veçantë për ju sepse gjithçka e kam ezauruar në letrën time, që besoj se është shteruese”, tha Vasili.

Ministri i Drejtësisë beson se ka ende kohë që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të veprojë sipas përcaktimeve kushtetuese, që në analizën e Vasilit detyrojnë qeverinë të nisë negociatat për një marrëveshje ndërkombëtare për ONM-në dhe më pas kjo marrëveshje të miratohet në Parlament.

“Kam ngritur disa çështje që besoj se janë plotësisht të ndreqshme, të cilat e fusin procesin në një hulli të domosdoshme të qartësisë dhe të Kushtetutës, të cilat vendosin shumë qartë rregullat e komunikimit ndërmjet institucionit të ONM-së dhe komunikimet edhe me institucionet shqiptare. Pastaj, se cilat do të jenë reflektimet, nuk janë reflektime që vijnë nga unë”, u shpreh Vasili.

Në letrën e dërguar në 20 shkurt Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe dy ambasadorëve, Lu e Vllahutin, ministri Vasili vlerëson se ka shkelje të Kushtetutës në marrëveshjen me qeverinë, për sa kohë ajo është nismë e paautorizuar nga qeveria e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.

Top Channel