
“Tre muaj para zgjedhjeve bëjnë bojkot duke bllokuar reformën në drejtësi. Për këtë futën në ligj edhe ndarjen 50 me 50 të komisioneve dhe provuan dyshimin e kahershëm tonin që nuk e duan reformën”.
Kështu akuzoi opozitën deputeti socialist Eduard Shalsi këtë të hënë i ftuar në Top Story përballë Astrit Patozit.
“Nëse Partia Demokratike do të kishte deklaruar një vit më parë, jo ne nuk duam Vetting, nuk duam reformën në drejtësi, por ne duam reformë zgjedhore, atëherë po. Por jo, ja çfarë ndodh tani”, shtoi ai.
Astrit Patozi kundërshtoi këto deklarata të kolegut socialist.
“Unë personalisht kam patur rezerva për reformën në drejtësi. E kam quajtur arnim dhe kam menduar që zgjidhja do të ishte një reformë e plotë kushtetuese. Për fatin e keq, ky defekt ka shpërthyer. PD nuk është njësoj përgjegjëse si qeveria për këtë defekt. Kishte një investim shumë të madh ndërkombëtar për këtë çështje dhe PD zgjodhi që të ishte pjesë e reformës në drejtësi. Ne nuk kemi nevojë vetëm për reformën në drejtësi, kemi nevojë për një reformë të plotë që duhet të korrektojë gjithë sistemin politik që është bartësi i parë i problemeve”, u shpreh ai.
Patozi shtoi se opozita u përfshi në këtë proces me bindjen se reforma do të ishte normale dhe pa qëllime të këqija dhe se menjëherë pas kësaj do të kryhej reforma zgjedhore.
“Është qesharake t’i thuash opozitës pse nuk shkon në Parlament kur ne themi që nuk ka zgjedhje të lira në këtë vend. Është njësoj si t’i thuash një njeriu që duan ta vrasin dhe ikën me vrap dhe e kap polici e i thotë pse nuk ecën tek vijat e bardha?!”, u shpreh ai.
Top Channel