
“Mosngritja e komisionit të Vettingut si pasojë e bojkotit të opozitës po vonon procesin jetik për vendin”, tha Rama para studentëve në Universitetin e Elbasanit.
“Prandaj reforma në drejtësi është reforma e reformave, është ylli polar në rrugën tonë për të bërë shtet”, deklaroi Kryeministri.
Të gjitha reformat e bëra deri më tani, tha Rama, janë të paplota pa reformën në drejtësi, e cila si hap kryesor të parin ka kontrollin përmes Vettingut të të gjithë Prokurorëve dhe gjykatësve. Vendimtar për këtë reformë është misioni i ndërkombëtarëve, për të cilin ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili ka ende një shqetësim që e shpjegoi me një letër.
Ministri i Drejtësisë beson se ka ende kohë që operacioni ndërkombëtar i monitorimit të veprojë sipas përcaktimeve kushtetuese, që në analizën e Vasilit detyrojnë Qeverinë që të nisë negociatat për një marrëveshje ndërkombëtare për ONM dhe më pas kjo marrëveshje të miratohet në Parlament.
“Kam ngritur disa çështje që besoj janë plotësisht të ndreqshme, të cilat e fusin procesin në një hulli të domosdoshme të qartësisë të Kushtetutës, të cilat vendosin shumë qartë rregullat e komunikimit ndërmjet institucionit të ONM dhe komunikimet edhe me institucionet shqiptare, të krijuar në mënyrë sa më të mirë dhe transparente”, sqaroi Vasili.
Pengesat ndaj reformës kanë nxitur shoqërinë civile të mbledhë firmat për një peticion pro Vettingut. Ministri Tahiri e firmosi këtë nismë.
“Ju duhet t’i pyesni shqiptarët nëse duan drejtësi, nëse duan që gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar të largohen, nëse duan që drejtësia të bëhet sipas ligjit e së drejtës – apo nëse duan të merren me gjyqtarët e prokurorët e korruptuar që e kanë Shqipërinë në këtë pikë. Kjo është pyetja që shtrohet sot dhe nuk ka lidhje as me partitë, nuk ka lidhje me gjithçka ndodh sot në bulevarde apo në parlament”, tha ai.
Mbledhja e firmave pro Vettingut ka vijuar edhe në qytete të tjera të vendit. Në Kukës janë të shumtë ata që kanë dhënë firmën e tyre në këtë peticion.
Ndërsa në Tiranë vazhdon protesta e opozitës, ministri Tahiri komentoi edhe deklarimet e kryetatit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili është paditur nga policia.
“Unë të them të drejtën nuk i kuptoj deklaratat agresive, arrogante apo qëndrimin fodull të këtij njeriu, që personalisht nuk do pranoja me këto karakteristike ta kisha as komshi, jo më kryetar të opozitës”, u shpreh Tahiri.
Top Channel