Peticioni, Tahiri: Qytetarët duan largimin e të korruptuarve

27/02/2017 00:00

Peticionin e organizatave të shoqërisë civile për vettingun e firmosi këtë të hënë edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, si dhe disa deputetë të Partisë Socialiste.

Sipas Tahirit, kjo është një nismë e iniciuar nga qytetarët dhe e veçuar nga çdo proces politik dhe partiak.

“Ju duhet t’i pyesni shqiptarët nëse duan drejtësi, nëse duan që gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar të largohen, nëse duan që drejtësia të bëhet sipas ligjit e së drejtës; apo nëse duan të merren me gjyqtarët e prokurorët e korruptuar që e kanë sjellë Shqipërinë në këtë pikë. Kjo është pyetja që shtrohet sot dhe nuk ka lidhje as me partitë, nuk ka lidhje me gjithçka ndodh sot në bulevarde apo në Parlament”, tha Tahiri.

Por a ka fuqi ligjore ky peticion? Sipas deputetit Ulsi Manja, po. “Ka jashtëzakonisht fuqi. Fuqia e qytetarëve shqiptarë është e fuqishme”, tha Manja.

Ndërsa në Tiranë vazhdon protesta e opozitës, ministri Tahiri komentoi edhe deklaratat e kryetatit të PD, Lulzim Basha, i cili është paditur nga policia.

“Unë të them të drejtën nuk i kuptoj deklaratat agresive, arrogante apo qëndrimin fodull të këtij njeriu, që personalisht, me këto karakteristika nuk do të pranoja ta kisha komshi, jo më kryetar të opozitës”, tha Tahiri.

Nisma për mbledhjen e firmave pro vettingut ka vijuar edhe në qytete të tjera të vendit. Në Kukes kanë qenë të shumtë ata që kanë hedhur firmën e tyre në këtë peticion.

Top Channel