Basha: Liria po kërcënohet nga diktatura e krimit

27/02/2017 00:00

Me përfaqësuesit e ish të përndjekurve politikë që iu bashkuan protestës së opozitës, Lulzim Basha ndau shqetësimin se 26 vjet pas rrëzimit të diktaturës komuniste, liria është e kërcënuar nga diktatura e krimit dhe e drogës.

“Sot, liria kërcënohet nga një kryeministër që shkel Kushtetutën për të mbrojtur kriminelët që ka sjellë në pushtet. Refuzon të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, Kushtetutën e vendit për të mbështetur shtyllën kryesore të pushtetit të tij, krimi dhe droga, me të cilin ndau pushtetin dhe qëndron në pushtet”, tha Basha.

Në ditën e dhjetë të protestës së opozitës, në skenën politike nuk ka ndryshuar asgjë, por Lulzim Basha shprehu vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund.

“Sot jemi këtu si pjesë e një vendimi të madh popullor për t’i thënë Edi Ramës se e vetmja mënyrë për të kthyer normalitetin në vend është largimi yt dhe një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira. Rrugë tjetër nuk ka e nuk ka për të patur”, u shpreh Basha.
 
Të rinjtë demokratë zgjodhën ta shpërndanin mesazhin e protestës për zgjedhje të lira e të ndershme nëpërmjet një droni që fluturoi mbi Kryeministri me slloganin “Zgjedhje të lira pa drogë dhe të droguar”.

Top Channel