Rrëzohet kërkesa për mocion me debat për Spitalin Onkologjik, 26 vota pro dhe 54 kundër Ilir Meta tha se partia qe ai drejton është për stabilitet dhe jo konfliktualitet. Nga Berati, ku LSI kërkon të dalë forcë e parë, Meta tha se theksonte rëndësinë e jashtëzakonshme që ka forcimi i dialogut politik në vend, në radhë të parë në Parlament.
Kjo, për të vijuar me axhendën e reformave dhe mbi të gjitha dialogun për të mbyllur sa më shpejt Reformën Zgjedhore dhe për të garantuar një klimë mirëbesimi për zgjedhjet e 18 qershorit.
Meta ishte më pranë shqetësimeve të artikuluara nga çadra e protestës kur tha se rezultati që Shqipëria do të marrë përsa i takon zgjedhjeve të 18 qershorit do të jetë përcaktues për hapjen e negociatave dhe për ecurinë e suksesshme të Reformës në Drejtësi.
Po me kë është LSI? Meta e ka një përgjigjje për ata që bëjnë këtë pyetje.
“Në këto momente tensionimi dëgjohen shpesh ata që thonë se nuk po e marrim vesh me kë është LSI. Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë, se nuk arrijnë ta kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë, apo për ata që janë viktimë e atij stereotipit 26-vjeçar bardhezi të politikës, u them që LSI është një forcë drejt kauzave të zgjedhjeve të lira, të listave të hapura”, tha Meta.
Nga Berati Meta kishte edhe një mesazh dukshëm për bashkëkryetarin e koalicionit të mazhorancës, megjithëse nuk e përmendi emrin e tij.
“Të gjithë politikanët që duan të kontribuojnë për reformë në drejtësi të suksesshme duhet të mbështesin fuqimisht zbatimin e dekriminalizimit, duhet të ndërpresin çdolloj komunikimi me elementë kriminalë, pasi çdo marrëdhënie e tillë i bën ata të jenë peng i elementëve të tillë dhe të mos jenë në gjendje që të mbrojnë të drejtat e qytetarëve të ndershëm”, tha kreu i LSI-së.
Top Channel