Përfundon operacioni masiv antikanabis i Policisë së Shtetit

24/02/2017 08:30

Policia e Shtetit njoftoi përfundimin e operacionit masiv dyditor në të gjithë vendin për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Në operacion u angazhuan 3100 forca policore. Operacioni nisi mëngjesin e datës 22 shkurt dhe përfundoi në orën 19:00 të datës 23. Në shkallë vendi u ushtruan 6901 kontrolle në total, nga këto: 5113 serra, 235 tunele, 692 ish-rezerva dhe magazina shtetërore, 314 ish-reparte ushtarake, 258 banesa të pabanuara dhe 286 objekte të ndryshme.

Policia, në bashkëpunim me kryetarët e fshatrave, ushtruan kontrolle në serra, stalla, shtëpi të braktisura, vendet e mundshme për kultivimin e fidanëve të bimëve narkotike. Kontrollet u ushtruan edhe në të gjitha tunelet e braktisura të ushtrisë, të ish-rezervave të shtetit, si dhe në ambjente të tjera për të cilat disponoheshin informacione apo kishte dyshime se mund të përdoren për të kultivuar bimë narkotike në kubikë e fidanë.

Të gjitha ambjentet që ishin me pronar, pasi përfundoi kontrolli, pronarët firmosën deklaratë se këto ambjente nuk do të përdoren për kultivim të bimëve narkotike. Edhe për ambjentet dhe objektet pa pronar është mbajtur procesverbal i firmosur nga pjesëtarët e grupeve të kontrollit. Gjithashtu, të gjitha ambjentet apo objektet e kontrolluara nga policia gjatë këtij operacioni masiv, janë fotografuar dhe filmuar nga ekspertët e policisë.

Policia njofton se u analizua dhe do të analizohet çdo informacion policor apo i marrë nga komuniteti, në lidhje me personat që sigurojnë farën e bimës kanabis sativa, personat që e blejnë dhe kultivojnë bimë narkotike, personat që blejnë në farmacitë bujqësore pesticide antiparazitarë, që sigurojnë pleh organik dhe gota plastike me shumicë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA