Vrasja e trefishtë në Vlorë, pezullohen nga detyra dy prokurorë

23/02/2017 09:10

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla pezulloi nga detyra shefen e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça dhe prokurorin Artur Selmani, për shkak të qëndrimit të dyshimtë që është mbajtur në Gjykatën e Lartë, ku po shqyrtohet rekursi për vrasjen e tre të rinjve gjatë një  konflikti të armatosur në lagjen Çole të Vlorës, në  prill të vitit 2015.

Llalla ka urdhëruar nisjen e hetimit ndaj zyrtares dhe prokurorit për veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “shpërdorimit të detyrës”, me qëllim për të zbuluar shkaqet e këtij qëndrimi.

Një prej të pandehurve, Aleksandër Llanaj është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Berti Alliaj dhe Ani Begaj me 35 vjet burg. Por, gjatë shqyrtimit të rekursit të kërkuar nga pala mbrojtëse në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani, jo vetëm që nuk ka mbështetur qëndrimet e mëparshme të prokurorisë, por ai ka kërkuar pushimin e akuzave shumë të rënda, njofton prokuroria.

Për këtë qëndrim të dyshimtë, prokurori Selmani pretendon se e ka diskutuar me shefen e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça, thuhet në komunikatë. Ndërsa, pjesë e penalizimit administrativ dhe hetimit penal janë edhe ndihmësit gjyqësorë, të cilët kanë përgatitur relacionin për prokurorin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA