Linjë e re urbanësh në Tiranë, Materniteti i ri- Ish fusha e Aviacionit

22/02/2017 00:00

Tiranës i shtohet një linjë e re autobusësh, nga materniteti i ri tek ish fusha e Aviacionit, duke u shtuar edhe 17 mjete transporti urban.

Vetë kreu i bashkisë Erion Veliaj ka inspektuar linjën e re që kalon përmes Rrugës së Kavajës dhe “21 dhjetorit”.

Veliaj tha se linja ekzistuese ka pësuar rritje në flotën e automjeteve, duke rritur frekuencën e mbërritjes në stacione. “Mbajmë një premtim që e kishim bërë për banorët e njësisë 2 dhe 7. Këtu jemi në fund të ish Fushës së Aviacionit, i cili mund të kishte që para rënies së komunizmit që s’kishte parë autobusë. Është risi, kemi sjellë një linjë të re, e cila nga 11 autobusë i ka çuar në 17 mjete, për t’u siguruar që nga periferia afër Depos së Ujit në zonën e “Mihal Gramenos” e Maternitetit të Ri, deri këtu në zonën e ish Fushës së Aviacionit, duke kaluar kryq e tërthor Tiranës, përmes “21 Dhjetorit” dhe Inxhinierisë së Ndërtimit, u shërbejnë mijëra banorëve vetëm me një biletë. Më parë qytetarët duhet të ndërronin dy linja dhe paguanin dy bileta për të njëjtën distancë. Linja është e re dhe do të ketë një frekuencë çdo 10 minuta”, u shpreh kryebashkiaku, duke bërë të ditur se edhe këto automjete do të jenë të pajisura me sistemin GPS.

Veliaj shtoi se për të krijuar infrastrukturën e duhur që kjo linjë të funksionojë lirisht dhe pa vonesa do të bëhen edhe disa ndërhyrje të nevojshme në zgjerimin e rrugëve dhe heqjen e pengesave në pikat ku ka vështirësi.

“Kemi njësuar abonenë, autobusët janë më të vegjël, duke pasur parasysh që është një zonë e mbindërtuar, me rrugica të ngushta. Kjo është edhe arsyeja pse do të bëjmë disa ndërhyrje, prishje të ndërtimeve pa leje dhe ndalime të parkimit në rrugë ku kalon autobusi. Bizneset e lavazhit apo gomisterive që dalin përtej territorit të tyre, duke rregulluar apo larë makina në rrugë, duhet të na mirëkuptojnë se në fakt rruga është hapësirë publike”, tha Veliaj.

Organizimi i ri mundëson që jo vetëm të kenë mundësi më të mira të lëvizjes, e cila i shërben zonave të ndryshme të qytetit të Tiranës, por mundëson një shpërndarje në pika të ndryshme të qytetit, si dhe ndërlidhje me linjat e tjera që janë ekzistuese ose që gradualisht janë duke u futur në shërbim. Gjithashtu, linja do të jetë pjesë e sistemeve GPS që po instalohen dhe do të mundësojnë sistemin e monitorimit dhe të kontrollit në kohë reale nga ana e Bashkisë Tiranë, si dhe një sistem raportim/pikëzimi që lidhet me performancën e shërbimit.

Top Channel