Deputetët e PD u përgjigjen thirrjeve të europianëve

22/02/2017 00:00

Thirrjet e Knut Fleckenstein dhe Komisionerit Hahn drejtuar opozitës që të rikthehet në Kuvend për të mos bllokuar reformën në drejtësi, e sidomos Vettingun, janë dëgjuar edhe në çadrën e Partisë Demokratike.

Më i ashpër ka qenë reagimi i deputetit demokrat, Gent Strazimiri.

“Unë mendoj që nëse do të ishte e vërtetë që raporteri, veshi dhe syri i Europës për Shqipërinë shikon përralla sikur nuk ka kriminelë në Parlament, kjo do të ishte e dhimbshme. Shikon përralla sikur ky Parlament i mbushur me kriminelë, 19 aq sa mendonte Kryeministri se nuk janë, por janë fiks aq sa thamë ne, mund të bëjë reformën në drejtësi më të mirë dhe jo vetëm në letër”, tha ai për Top Channel.

Ridvan Bode deklaroi se opozita është pikërisht atje ku duhet të jetë, në krah të qytetarëve, sipas tij.

“Jemi duke bërë punën atje ku e kërkon populli sot. Më shumë se kjo protestë, kërkesat e kësaj proteste, garantimi i zgjedhjeve të lira, largimi i bandave dhe i parave të pista nga procesi zgjedhor, lejimi i qytetarëve që të votojnë të lirë, mendoj që është kontributi më i madh që mund të japë një parti politike me grupin e saj parlamentar në ditët e sotme”, u shpreh Bode.

Ish-kryetarja e Kuvendit foli për kushte anormale të vendit.

“Po të ishim në kushte normale nuk do të kishte asnjë diskutim të bojkotit apo të daljes nga Parlamenti. Nuk jemi në kushte normale. Është një zgjedhje që as mua nuk më pëlqen, është një nismë e padëshiruar nga gjithë deputetët, por është një tjetër mënyrë për të tërhequr vëmendjen dhe për të thënë se a mund të lejojmë ne, a mund të bëjmë ne sikur në Shqipëri nuk ndodh asgjë?!”, deklaroi Jozefina Topalli.

Top Channel