Hapen specializimet për Mjekësinë, 280 vetë për 185 kuota

13/02/2017 00:00

Të paktën 279 persona të diplomuar në mjekësi konkurrojnë për 185 kuota për specializimet e hapura për këtë vit. 19 komisionë të përbëra nga 6 anëtarë kanë intervistuar aplikuesit.

“Është viti i tretë që vazhdon të ketë specializime të reja në mjekësi, gjë që së pari na ndihmon për të plotësuar boshllëqet e krijuara në trupën mjekësore me specialistë në të gjithë vendin. Këtë vit, praktikisht raporti është 2 me 3, pra në çdo 3 mjekë të përgjithshëm që marrin pjesë në konkurs ka mundësi që 2 prej tyre të mund ta zgjedhin specialitetin që është një situatë, unë mendoj, përgjithësisht e favorshme”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, profesor Arben Gjata vlerësoi vijimësinë e procesit të specializimeve për tre vjet me radhë pa ndërprerje.

“Risi sivjet është gjithashtu që dhe intervista që po merret bëhet mbi bazën e një skeleti të përgatitur, ku të paktën të gjitha komisionet të kenë të njëjtën skelet pyetjesh, që të mos kemi diferenca vlerësimesh me qenë se janë shumë komisione”, tha Gjata.

Më datën 20 shkurt, aplikantet do t’i nënshtrohen provimit në Agjencinë Kombëtare të Provimeve.

Top Channel