Grevistët në Zharrëz: Mjaft me fjalë! Duam vepra!

10/02/2017 00:00

Gjendja e grevistëve të fshatit Zharrëz, të cilët prej disa ditësh kanë hyrë në grevë urie është rënduar. Mbrëmjen e së premtes 4 grevistë janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit për të marrë ndihmë mjekësore.

“Kemi dalë nga greva dhe na kanë gënjyer, këtë radhë duam vepra. Ne nuk duam më letra, je ngopur me to”, shprehet një prej grevistëve.

Pas lëkundjeve të tokës, është hera e tretë që banorët e fshatit hyjnë në grevë urie. Ata thonë se i kanë ndërprerë dy grevat e mëparshme pasi u besuan premtimeve dhe se nuk merren me kompaninë që kërkon naftë, por me qeverinë.

“Duam ta zhvendosim grevën në Tiranë, nuk kemi punë me “Bankers”. Ne kemi punë me shtetin…ta zgjidhi shteti”, thotë grevisti, Alket Asllani.

“Duam shpërblim për shtëpitë, këtu s’rron njeri më shumë se 60 vjeç. Kam një djalë 9 muajsh me pompë me azëm”, thotë një tjetër grevist.

Pas ankesave të banorëve, ministria e Energjetikës deklaroi se lidhur me masat e marra për e situatën e tërmeteve të shkaktuara në zonën e Zharrezës, në vend-burimin e naftës dhe gazit të Patos-Marinzës, do t’i kërkonte kompanisë “Bankers” të ndalojë operacionet e injektimit të ujit në gëlqeror në zonën e Zharrëzës dhe të përdorë alternativa të tjera për trajtimin e ujit teknologjik pa dëmtuar mjedisin, si dhe masa riparuese të nëntokës dhe mbitokës,që të shmangen pasojat negative për komunitetin.

Masat përfshijnë sistemin e banorëve nga shtëpi të pabanueshme dhe angazhimin e një eksperti teknik ndërkombëtar të pavarur për të përcaktuar në mënyrë objektive dhe asnjanëse shkakun e lëkundjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA