“Mendoj se është një “show” që të dyja palët duhet t’ia kursejnë njëra-tjetrës. Është bezdisës për opinionin tonë sepse secila palë është duke sulmuar tjetrën thjesht për funksion elektoral”.
Analistët që e njohin funksionimin e të majtës besojnë se tek rishfaqja e sulmeve mes aleatëve është nevoja për të fituar sa më shumë politikisht.
“Duke u marrë me rinegocimin me Partinë Socialiste, do të thoja që Ilir Meta po mundohet të ngrejë përqindjet e vlerës së tij si sigël në sytë e Ramës, tani që në tryezë ka ardhur edhe Shpëtim Idrizi”, shpjegon Skënder Minxhozi.
Por, a janë të pavarur ministrat e LSI-së, kur sulmojnë qeverinë ku bëjnë pjesë dhe si shpjegohet që Ilir Meta flet ndryshe?
“Është natyra e Ilir Metës që të bëjë të thonë të tjerët ato që ai dëshiron të thotë vetë”, thotë Minxhozi. Ndërsa Mustafa Nano shprehet: “Ilir Meta thjesht përpiqet që të dalë si personi që i hedh ujë zjarrit dhe jo benzinë”.
Megjithëse konflikti i fundit e ka ngritur në një nivel tjetër lojën politike, analistët nuk e shohin LSI-në jashtë koalicionit.
“Ka më shumë përqindje që këto dy forca politike të mos e përsërisin marrëveshjen e 1 prillit, por mendoj se më e mundshmja është një LSI që rinovon marrëveshjen e vitit 2013 me socialistët”, deklaron Minxhozi.
“Këto dy parti mund t’i bëjnë ç’të duan njëra-tjetrës. Mund ta kanosin dhe ta shantazhojnë njëra-tjetrën, por nuk mund ta prishin koalicionin. Ky është paradoksi i kësaj historie. Unë besoj se në fund, do të jenë bashkë”, thotë Nano.
Top Channel