Policia e Vlorës ka arritur të arrestojë një person të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të trefishtë në vitin 2013.
Delin Hajdaraj, 26 vjeç, banues në Vlorë u arrestua rreth orës 20:30 të mbrëmjes, në një pallat në lagjen “Ujë i Ftohtë”. Shtetasi Delin Hajdaraj ka qenë shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në 28 korrik të vitit 2013, ku në bashkëpunim me shtetasin Leo Osmeni, 23 vjeç (i arrestuar në flagrancë dhe i dënuar me 35 vite burg), në lagjen “Ujë i Ftohtë”, në Plazhin e Kalasë, kanë qëlluar me armë zjarri, në prezencë të pushuesve të tjerë, ku mbetën të vrarë 3 shtetas.
Policia e Vlorës, duke patur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të tij, ka kërkuar ndihmë nga Forcat Speciale Renea Tiranë, të cilët në bashkëpunim kanë realizuar kapjen e këtij shtetasi të dënuar me burgim të përjetshëm, i cili kishte rreth 4 vite në arrati. Policia dispononte informacion se ky shtetas strehohej edhe në 2 banesa të tjera me qira brenda në qytet. Të tre banesat i mbante me qira që prej muajit gusht të vitit 2016 dhe i përdorte për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë.
Delin Hajdaraj akuzohet për vrasjen e Sokol Isufajt, 34 vjeç nga Roskoveci i Fierit, Diana Ademit, 53 vjeçe, nga Vlora dhe 17-vjeçarit nga Përrenjasi, Serdi Bajlozi.
Top Channel