Greqi, 4 shqiptarë përfshihen në aksident. Dy të vdekur, dy të plagosur

20/01/2017 00:00

Një aksident tragjik ka ndodhur në aksin Patra-Pyrgos, ku sipas policisë greke kanë humbur jetën 3 persona dhe janë plagosur rëndë 3 të tjerë, prej të cilëve dy shqiptarë mes të pajetëve dhe dy të tjerë mes të plagosurve.

Policia thotë se ngjarja ndodhi pasi një kamion, në rrethana që ende nuk dihen, rrëshkiti dhe kaloi në krahun e kundërt të autostradës, duke u përplasur ballë për ballë me një kamionçinë që drejtohej nga një 51-vjeçar grek.

Si pasojë e aksidentit, 51-vjeçari grek dhe dy shqiptarë mbetën të vdekur në vend. Ata janë Hava Majko, 49 vjeç, dhe Neim Qamili, 48 vjeç. Të 3 viktimat janë banorë të fshatit Vartolomio të Prefekturës së Pyrgosit.

Të plagosur mbetën dy shtetas të tjerë shqiptarë, një femër 31 vjeç dhe një 40-vjeçar.

Burime lokale thanë se ngjarja ndodhi në një kryqëzim nga më të mëdhenjtë në zonë. Të njëjtat burime sqaruan se, prej verifikimeve të para u konstatua se semaforët nuk punonin, ndërsa kamioni që shkaktoi aksidentin po ecte me shpejtësi jashtë normave të lejuara.

Aksi Patra-Pyrgos konsiderohet si një ndër akset më të rrezikshme në vend, pasi në këtë zonë fushore të Peloponezit, rruga është e drejtë dhe e gjerë, në të lëvizin shumë mjete bujqësore, ndërsa automjetet shpesh tejkalojnë shpejtësinë e lejuar. Në këtë zonë punojnë mijëra bujq, kryesish shqiptarë dhe bullgarë.

Trupat e viktimave u dërguan në Morgun e Patrës, e në vazhdim do të dërgohen në Shqipëri. Lidhur me ngjarjen, Prokuroria e Patrës ka urdhëruar një hetim. Shoferi që shkaktoi aksidentin u dërgua në spital, ku dhe po kurohet. Ndaj tij, gjykata ka vendosur arrest deri në sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Top Channel