Xhaxhai i Aleks Nikës: Procesi ishte normal, por drejtësi s’ka akoma

18/01/2017 00:00

Menjëherë pas lajmit të Top Channel, se qeveria do të dëmshpërblejë me 300 mijë dollarë familjarët e çdo viktime të 21 Janarit 2011, kanë reaguar familjarët e viktimave.

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, nuk e quan dëmshpërblimin e qeverisë blerje të gjakut, por thotë se asnjë lloj pagese nuk mund të blejë drejtësinë e pavënë në vend ndaj vrasësve.

“Në lajmet që dha Top Channel në 7 e gjysmë u tha se, qeveria nuk e mbajti premtimin për zbardhjen e vrasjeve të 21 Janarit. Ky është një opinion i televizionit tuaj dhe deri diku mbështetet edhe nga ana jonë. Por nuk jemi dakord me interpretimin që bëhet “blerje e vrasjes”.

Kjo nuk ka lidhje me vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila iu është referuar praktikave botërore, që janë universale, që në rastin konkret vrasësit e 21 Janarit janë të Gardës së Republikës, e cila duhet të paguajë dëmin moral.

Kjo ishte edhe arsyeja që ne pranuam vendimin e gjykatës që të dëmshpërblehet në procesin penal dëmi që është shkarkuar nga vrasjet që u bënë në bulevard. Ne gjykojmë se kjo nuk ka lidhje me procesin penal, që mesa kemi dijeni është në rrugë të mbarë në Gjykatën e Strazburgut.

Nëse është vërtetë ashtu siç thoni ju në lajme, atëherë ne heqim dorë nga kjo e drejtë, që padrejtësisht është interpretuar nga ana juaj si një shpëtim pasi blihet gjaku i derdhur në 21 Janar.

Madje, kjo na bën për të marrë vendime të tjera që nuk do të jenë të favorshme edhe për ne edhe për qeverinë”, thotë Mark Nika.

Top Channel