
Qytetarët që pësojnë fraktura nga aksidente të ndryshme në qytetin e Durrësit do të trajtohen me proteza falas në spitalin e këtij qyteti.
“Këtë vit ne kemi arritur të realizojmë proteza të një cilësie bashkëkohore, ndërsa numri i pacientëve që kanë përfituar endoprotezim këto muajt e fundit është 18 të tillë”, tha Dr. Neritan Myderrizi, shef i Shërbimit të Ortopedisë.
“Janë materiale titani dhe që nga shtatori i vitit 2016, të gjithë pacientët me fraktura janë trajtuar me implante prej titani falas”, tha mjeku ortoped Redi Hoti.
Për Spitalin e Durrësit janë planifikuar 100 milionë lekë vetëm për protezat për vitin 2017.
“Në Spitalin Rajonal të Durrësit, prej disa muajsh po vazhdojmë të mundësojmë plotësimin e nevojave në Shërbimin e Ortopedisë, qoftë për trauma, qoftë për nevoja që kanë pacientë të ndryshëm. Për protezat, ky spital këtë vit ka një buxhet rreth 100 milionë lekë, gjë që është pjesë e paketës së madhe prej 1.8 miliardë lekësh që do të shpenzohen këtë vit për protezat”, tha Ilir Beqaj, ministër Shëndetësie.
Në Shërbimin e Ortopedisë në këtë spital ka një ekip prej 5 ortopedësh, të cilët do të kenë tanimë infrastrukturën dhe pajisjet e nevojshme për t’u shërbyer sa më mirë pacientëve në Durrës.
Top Channel