Tahiri: Policia e krijon besimin duke shërbyer

17/01/2017 12:35

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ishte i pranishëm në inaugurimin e Zyrës së Shërbimeve Qytetare dhe të “Njësisë Shqiponja” në Gjirokastër, në Drejtorinë Vendore të Policisë, në të cilën morën pjesë dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, Prefekti Flamur Bime dhe kryetarja e bashkisë, Zamira Rami.

Në fjalën e tij, Tahiri tha se “Zyra e Shërbimeve është shumë e rëndësishme për ne, sepse shton mundësinë për t’u shërbyer qytetarëve”.

“Deri dje ishte shumë e vështirë, në mos e pamundur, t’u shërbeje qytetarëve në Policinë e Shtetit. Sot, 22 Zyrat e Shërbimit në të gjitha drejtoritë e qarqeve në mbarë Shqipërinë vetëm vjet kanë dhënë mbi 350 mijë shërbime. Sepse ne besojmë se besimi tek Policia e Shtetit që duhet të krijojmë tek qytetarët kalon, pa asnjë dyshim, nga shërbimet. Është kjo arsyeja pse u shërbejmë qytetarëve me transparencë, pa korrupsion dhe mbi të gjitha me shërbim në kohë. Kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar besim. Kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar integritet në Policinë e Shtetit. Kjo është mënyra e vetme për t’i shërbyer qytetarëve. Kjo është mënyra e vetme për t’u bërë bashkë për të ndërtuar lagje, qytete dhe komunitete më të sigurta”, deklaroi Tahiri.

“Ne besojmë shumë që vetëm nëpërmjet filozofisë së shërbimit, policia mund të bëhet më e mirë. Ne besojmë shumë që duke u bërë bashkë me qytetarët mund të kemi më shumë siguri për lagjet, qytetet dhe komunitet tona. Ne besojmë shumë që për kundër rrënimit të deri djeshëm të Policisë, Policia sot ka rilindur duke bashkëpunuar më mirë me qytetarët dhe duke i dhënë më shumë shërbim dhe duke ofruar më shumë siguri. Gjirokastra është një ndër qarqet që dëshmon më së miri këtë. Ashtu si ne besojmë që duhet të përmirësojmë akoma më shumë punën tonë. Ka ende shumë punë për të bërë. Ka ende më shumë hapësirë për të bashkëpunuar akoma më mirë me qytetarët. Ka ende mundësi për të punuar më mirë. Por ne jemi këtu për të justifikuar besimin që na kanë dhënë qytetarët, nëpërmjet punës, nëpërmjet gjithçkaje që mund të bëjmë, për të pasur një Polici më të mirë që shërben më mirë dhe që ofron më shumë siguri për qytetarët”, shtoi Tahiri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA