Izrael-Palestinë, samit në Paris për nxitjen e bisedimeve për paqen

15/01/2017 00:00

Në Paris të Francës zhvillohet sot një konferencë ndërkombëtare, e cila synon të japë shtysën e parë të bisedimeve të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Delegatë nga 70 vende të botës pritet të rikonfirmojnë mbështetjen e tyre për zgjidhjen dyshtetërore të konfliktit që zgjat prej dekadash.

Palestinezët kanë mirëpritur takimin, por Izraeli, i cili nuk do të ketë pjesëmarrës, ka denoncuar konferencën si të ngarkuar kundër tij. Raundi i fundit i bisedimeve të drejtpërdrejta për paqen mes dy palëve u rrënua mes fjalëve të ashpra në prill të vitit 2014.

Izraeli dhe palestinezët janë ftuar të dëgjojnë konkluzionet e takimit, por jo të marrin pjesë edhe vet ata në samitin që vjen mes tensioneve më të fundit Izrael-komunitet ndërkombëtar, pasi OKB-ja miratoi një rezolutë muajin e kaluar që denonconte si të paligjshme aktivitetin e ndërtimit të blloqeve të banimit në tokat e pushtuara.

Izraeli akuzoi administratën “Obama” si nismëtare dhe nxitëse të mocionit, të cilin në fakt edhe e lanë të miratohet pa përdorur fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara. Shtëpia e Bardhë, gjithsesi, ka mohuar të ketë bashkëpunuar në miratimin e rezolutës.

Raportimet e medieve të huaja flasin mbi një deklaratë të përbashkët të takimit, që u bën thirrje Izraelit dhe palestinezëve “të riaktivizojnë zyrtarisht angazhimet e e tyre për zgjidhjen dyshtetërore” dhe të shmangin “ndërmarrjen e hapave të njëanshme që paragjykojnë rezultatin përfundimtar të negociatave”.

Zgjidhja dyshtetërore, pra për një shtet palestinez së bashku me Izraelin është mbështetur nga të dyja palët, por ka ende vizione kontradiktore mbi llojin e shtetit që do të krijohet. Izraeli refuzon përfshirjen e ndërkombëtarëve në procesin e paqes, duke thënë se zgjidhja duhet të vijë vetëm përmes bisedimeve të drejtpërdrejta.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e quajti takimin e parisit si një “konferencë e manipuluar”, e cila nuk mund ta detyrojë Izraelin. “Ajo është e manipuluar nga palestinezët, që nën kujdesin e francezëve do të miratojnë qëndrime antiizraelite”, tha ai të enjten. “Kjo gjë nuk e ndihmon paqen të avancojë”.

Departamenti amerikan i Shtetit, ndërkohë, njoftoi se Sekretari John Kerry do të jetë në takim për të siguruar se “çfarëdo që të ndodhë në atë konferencë, ajo të jetë konstruktive dhe e balancuar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA