Gjermani-Itali operacion për kapjen e drogës shqiptare në Greqi

03/01/2017 00:00

Një operacion i policisë gjermane, asaj greke dhe asaj italiane, është duke u zhvilluar që në orët e para të mëngjesit në zonën e Atikës, Igumenicës dhe Selanikut.

Sipas informacioneve të para,një sasi prej 210 kilogramë kanabis janë sekuestruar prej rojës bregdetare greke në hyrje të portit të Igumenicës gjatë orëve të para të së martës,ndërsa në të njëjtën kohë, agjentët e anti-drogës kanë kryer kontrolle në disa banesa në Athinë,Selanik dhe Veria.

Autoriteti portual i Igumenicës,deklaroi se dy shoferët e kamionit janë arrestuar,ndërsa dy pjesëtare të tjerë të organizatës janë arrestuar në Selanik.

Për të mos u diktuar,organizata përdorte kamionë nëpërmjet të cilëve kalonte drogën nga Shqipëria në Selanik dhe Athinë, dhe prej andej e fshihte atë brenda ngarkesave, kryesisht mobilie që dërgoheshin me tragete në Itali dhe prej andej në Gjermani dhe Holandë dhe vende të tjera europiane.

Lënda narkotike fshihej mjaft mirë, saqë për gjetjen e saj, në portin e Igumenicës kamioni që po e transportonte u desh të kalonte disa herë në skaner deri sa të behej e mundur zbulimi i saj.

Dyshohet se organizata ka kryer shumë ngarkesa të njëjta me drogë nga Shqipëria në Greqi për në vendet e Evropës perëndimore.

Në Athinë janë edhe disa të arrestuar të tjerë,ndërsa autoritet thonë se i kanë dhënë një goditje të fortë trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Njoftime të tjera priten të bëhen gjatë orëve në vazhdim. Burime për Top Channel bëjnë me dije se ka edhe shqiptarë të tjerë të arrestuar ose që kanë lidhje me këtë trafik.

Top Channel