Bashkia e Tiranës shpërndan ndihma për fëmijët e Zall-Bastarit

03/01/2017 00:00

Zall-Bastari do te jetë më afër Tiranës dhe banorët e kësaj njësie do kenë mundësi të arrijnë më shpejt ne tregjet e kryeqytetit. Bashkia e Tiranës ka vendosur që këtë vit të përfundojë rrugën që lidh Zall-Dajtin me Zall-Bastarin. Vendimi u mor në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, ku dhe u miratua fondi përkatës për këtë investim. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e dha lajmin mirë për banorët gjatë një aktiviteti për njerëzit në nevojë, në ekstremin më të largët të kryeqytetit.

“Kemi disa lajme të mira për Zall-Bastarin. Sapo miratuam në Këshillin Bashkiak rrugën e re nga Zall – Dajti në Zall – Bastar, e cila është një gangrenë për zonën, por që do të rregullohet këtë vit të ri dhe besoj se siç ka qenë motoja jonë në Tiranën urbane, fokusi te puna, kjo duhet te jete motoja jonë edhe për Tiranën fshat”, tha kryetari Veliaj. Ai shtoi se investimi do jetë kolosal dhe do të përfshijë një segment të gjatë rrugor, i cili deri më sot është në një gjendje të rënduar, sidomos gjatë shirave. Ai evidentoi faktin se ky investim u bë i mundur edhe falë benefiteve që ka sjellë reforma territoriale, duke mundësuar garantimin e investimeve kaq të mëdha.

“Me vendimin e Këshillit Bashkiak në fund të vitit, i hapim rrugë një investimi që nëse komuna do ishte më vete s’do kishte mundësi ta përballonte. Reforma administrative na ka futur në një familje me të madhe të Tiranës në qytet edhe në fshat, e cila na krijon mundësinë për të përballuar edhe këto investime të mëdha”, tha Veliaj. Ai ka theksuar se rruga e re do ofrojë më shumë mundësi zhvillimi, jo vetëm duke afruar banorët me zonën urbane, por edhe duke mundësuar nga ana tjetër më shumë banorë të Tiranës qytet që vizitojnë këtë zonë për turizëm dhe për të blerë produkte bio.

“Tani që do të fillojmë rrugën, dua t’u bëj thirrje edhe atyre që na ndjekin dhe jetojnë në Tiranë, që ashtu siç kemi promovuar ekonominë në Shëngjergj, në zonën e Malësisë së Tiranës, duke filluar nga Petrela, Bërzhita, Krraba, Iba, ashtu dua që me mbarimin e rrugës, edhe qytetarët nga Tirana të vijnë më shpesh në Zall-Bastar, të shpenzojnë më shumë para këtu, të shpenzojnë më shumë fundjava, të konsumojnë më shumë produkte të zonës, janë bio, por mbi të gjitha ndihmojnë ekonominë vendase”, u shpreh Veliaj. Ndërkohë që duke shpërndarë ndihma për fëmijët e kësaj zone, kryebashkiaku bëri të ditur edhe në 2017 fëmijët do jenë në fokus të punëve të Bashkisë së Tiranës.

“Më vjen mirë që e fillojmë me fëmijët, me disa dhurata ushqimore, por edhe disa dhurata lodrash sepse fëmijët meritojnë të kenë një fëmijëri të bukur e të gëzuar. Kemi planifikuar edhe këtë vit më shumë kënde lojërash, jo vetëm në Tiranën qytet, por edhe Tiranën fshat, sepse besoj se një qytet që ka 1 milionë vetë, 300 mijë janë fëmijë dhe sigurisht edhe ata meritojnë pjesë të vëmendjes së Bashkisë, ashtu siç e meritojë edhe të rriturit”, tha Veliaj.

Top Channel