PD bojkoton përkohësisht komisionet parlamentare, zbulohet mesazhin që u është dërguar deputetëve Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti është takuar me kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Në këtë takim, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të dy partive, është biseduar për situatën postzgjedhore në Maqedoni.
Sipas njoftimit nga Partia Demokratike, thuhet se zoti Basha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të forcave politike shqiptare në Maqedoni, gjë që do të ndikonte në avancimin e të drejtave të shqiptarëve atje, në realizimin e të drejtave dhe detyrimeve të papërmbushura të “Marrëveshjes së Ohrit”, në veçanti çështjen e gjuhës.
Gjithashtu thuhet se, Basha shprehu bindjen se përfshirja e shqiptarëve në qeverisjen e ardhshme të Maqedonisë duhet të garantojë zbatimin e “Marrëveshjes së Ohrit” dhe respektimin e plotë të lirive, të drejtave dhe barazisë së shqiptarëve, si dhe të ndihmojë në përshpejtimin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, si garanci për stabilitetin dhe për të drejtat e shqiptarëve.
Pak ditë më parë, Ahmeti, nga partia e të cilit varet tërësisht e ardhmja e qeverisë së Maqedonisë, u takua me kryeministrin Rama, presidentin Nishani dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta.
Ahmeti nuk ka shprehur ende se me kë do të krijojë qeverinë e re në Maqedoni, sepse kërkon që të përfundojë njëherë procesi i shpalljes së rezultateve. Por kushtet e Ahmetit kanë të bëjnë me “Marrëveshjen e Ohrit”, të drejtat e shqiptarëve dhe aspektet ekonomike.
Top Channel