
Duke nisur prej pranverës së vitit të ardhshëm, Spitali i Traumës në kryeqytet do të jetë i pajisur me salla të reja kirurgjikale, aparatura moderne, por edhe përmirësimin e kushteve në ambientet ekzistuese.
Këtë e bëri të ditur vetë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë inspektimit të punimeve në këtë qendër.
“Janë rreth 660 milionë lekë që financohen nga Buxheti i Shtetit për ndërhyrje në këtë pjesë që do të jetë gjithë poli i imazherisë për pacientët e shtruar në spital, përfshirë edhe ndërhyrjet në urgjencë, në sallat e operacioneve. Për të patur përmirësim të sistemit elektrik, që është i amortizuar, për të patur sistem aspirimi të ajrit me filtra antimikrobike, siç i duhet sallave të operacioneve dhe kemi dhe përmirësimin e ndjeshëm të sistemit elektrik, të aspirimit dhe të ajrimit edhe në reanimacionin e përgjithshëm të spitalit”, deklaroi Beqaj.
Me këtë investim, shtoi ministri, spitali do i përgjigjet më mirë kërkesave të pacientëve të ndryshëm nga i gjithë vendi për trauma dhe sëmundje të tjera.
Top Channel