
Investimet e kryera këto vite e fundit në qytetin e Divjakës dhe Lushnjës janë përzgjedhur nga ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, për t’i parë nga afër me një grup gazetarësh të medias së shkruar dhe asaj vizive. Ndalesa e parë ka qenë në qendër të Divjakës.
Kjo bashki edhe pse e vogël nga sipërfaqja dhe popullsia ka marrë një numër të madh investimesh ku mund t’i radhisim, rivitalizmi i sheshit qendror, ambientet sportive si fusha e basketbollit dhe palestra e shkollës se mesme, poliklinika e cila u ndërtua nga e para, rruga hyrëse për në parkun e Divjakës etj., të gjitha këto investime të kryera në 4 vitet e fundit.
Ministrja Gjermeni theksoi se “më këtë vizitë që bëme sot në Divjakë dhe Lushnjë është mirë ta bëjmë edhe në qytetet e tjera për të parë realisht transformimin e qyteteve të cilat kanë një fizionomi tërësisht tjetër dhe që kanë ngjallur jetën ne hapësirën publike, por edhe në impaktin që kane patur në zhvillimin e biznesit në këto zona”.
Veç bizneseve të zonës këto investime kanë shtuar dhe numrin e turistëve në Parkun Kombëtar të Divjakës i cili njihet për bukuritë e tij natyrore. Investimi në rrugën që të çojnë drejt parkut të Divjakës i ka dhënë një pamje krejt tjetër kësaj rruge.
Drejtori i parkut të Divjakës, Ardian Koci, tregon se duke parë këtë numër në rritje të vizitorëve po punohet për ngritjen e qendrës së vizitorëve e cila do t’i vijë në ndihmë të gjithë vizitorëve për të mësuar më shumë për Parkun kombëtar të Divjakës gjë që deri tani nuk ka qenë prezente.
Ndalesa e fundit ka qenë në Lushnjë ku edhe këtu ka pësuar ndryshim total shëtitorja dhe qendra e këtij qyteti. Por një investim që ministrja Gjermeni nuk la pa përmendur ishte dhe ai i sistemimit të lagjes “18 Teori” në Lushnje ku nga një zonë informale falë këtij investimi i dha një jetë tjetër kësaj zone jo të vogël.
Top Channel