Punësim pas amnistisë; Klosi takon të burgosurat që presin të lirohen

09/12/2016 00:00

Në burgun e grave janë mbi 28 gra dhe vajza që përfitojnë nga amnistia. Dallëndyshe Kasa është një nga gratë që do të dalë nga burgu.

Ajo është dënuar për vrasjen e bashkëshortit, e tashmë është një Gjyshe 60-vjeçare, e cila ka 10 vjet që nuk flet me 3 fëmijët, se u vrau babanë. Ata nuk e falin edhe pse ai i rrihte sistematikisht nënën.

Lajmi për faljen e viteve të mbetura të dënimit ka gëzuar çdo përfitues, por jo Dallëndyshen. “Unë kam bërë një rrugë të gjatë për të bërë, tani kur të dal do ta kem shumë të vështirë. Shtëpinë ma shiti bashkëshorti dhe jam pa shtëpi”, shprehet ajo.

Por, Ministri i Mirëqenies Sociale bëri një premtim për çdo grua që do të nisë një jetë të re.

“Zyrat tona të punësimit në qytetet nga ju vini, do ju sigurojnë disa opsione për punësim në profesionet që ju keni dhe nëse do të duhet më shumë se kaq do të mundohemi që përmes qendrave të formimit profesional të merrni një edukim që do ju shërbej të hyni në tregun e punës”, u shpreh Blendi Klosi.

Gjithashtu e pranishme në aktivitetin përmbyllës të fushatës 16 ditore të luftës kundër dhunës ndaj grave, Ministrja Felaj tha se për herë të parë se nga amnistia e këtij viti numërohen më shumë përfitues.

“Këtë herë nuk do të falen vetëm ato që vuajnë dënimin, por edhe ato që janë të paraburgosura. Ekziston një mundësi maksimale që nëse vepra që ato kanë kryer është e tillë që ka një dënim të ulët, ato do të kenë rast që të përfitojnë. Për shkak se këtë herë amnistohet edhe ndjekja penale”, tha Ermonela Felaj, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Top Channel