Për festat, Tirana është ndriçuar nga 550 mijë drita dhe 500 yje.

Janë 20 rrugë që po ndjejnë atmosferën e festave, veçanërisht gjatë natës në kryeqytet, një pjesë e të cilave nuk kanë qenë të zbukuruara më parë. Madje, atmosfera e pragfestave këtë vit ka nisur të ndihet më herët.

“Këtë vit ka pasur një dyfishim të rrugëve që janë ndriçuar. Këtë vit kemi pasur rreth 50 mijë metër linear ndriçues Led që është vendosur përreth Tiranës”, u shpreh Elton Kacidhja Drejtor i Ndërmarrjes 2, Bashkia Tiranë.

Këtë vit, zbukurimi i Tiranës ka nisur herët, që në ditët e para të muajit nëntor, traditë e ndjekur në shumë kryeqytete të botës. Ky prag festash e gjen Tiranën të ndriçuar me 550 mijë poça dhe 500 yje, kambana dhe topa, atmosferë që e ka sjellë festën më herët në familjet shqiptare.

“Gjëja më veçantë që bashkia ofron këtë vit është “Fshati i Festës”, që do jetë në sheshin “Nënë Tereza”. Brenda tij ka shumë elementë që do të jenë atraksion për qytetarët, ka shërbime të ndryshme: Lojëra për fëmijë, është pista e patinazhit, është një skenë e madhe ku do ketë muzikë live”, shtoi Kacidhja.

Një pamje të veçantë dedikuar festave të fundvitit ka marrë edhe lulishtja përballë presidencës, ku janë vendosur punime shumë ngjyrëshe të realizuara nga një artist italian. Ai që spikat është elefanti, i njohur ndryshe si simbol fatsjellës dhe që duket sikur u uron qytetarëve një Vit të Ri më të mirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB