Administratorët e pallateve, do të zgjidhen 5 mijë në Tiranë

09/12/2016 00:00

Nëse banon në Tiranë, je me qira apo ke një apartament tëndin do të paguash njëlloj detyrimet për pallatin, shkallën, pompën e ujit apo ashensorin ,elemente që shpesh kanë krijuar konfikte për bashkëjetesën në komunitet. 5000 pallate në Tiranë, të reja dhe të vjetra do të kenë nga një administrator i zgjedhur nga banoret ose nga bashkia.

“Hapi i parë, ne do të krijojmë një asamble të banorëve të pallatit. Asambjelja e banorëve të pallatit përbëhet nga të gjithë ata që banojnë në atë pllat. Kush ka pronë ose kush është me qira në atë pallat është automatikisht anëtar i asamblesë së pallatit. Prania juaj fizike në atë banesë, në atë territor iu bën automatikisht sipas ligjit shqiptar, anëtar të asamblesë. Hapi i dytë, organizojmë zgjedhjet e asamblesë. Arsyeja pse stafi i bashkisë është që t’ju koordinojë, t’ju njoftojë datën, vendin ku do takoheni për të bërë këto zgjedhje dhe pastaj me një votim demokratike të vendosni 3-5 veta, sipas ligjit, që do të jenë kryesia e asamblesë”, tha Veliaj.

Administratori i cili do të zgjidhet nga kryesia e asamblesë do të ketë të drejtë të vendosë dhe gjoba për këdo që nuk shlyen detyrimet apo nuk respekton bashkëjetesën në komunitet.

“Në disa vende tashmë është identifikuar një njeri që e bën këtë punë, roja i pallatit, i garazhit, i pompës, i ashensorit, i taracës, gjëra të kësaj natyre. Nëse ky është personi që doni atëherë do të bëni një rekrutim zyrtar dhe kjo kontratë do të depozitohet në bashkinë e Tiranës. Hapi i katërt, Bashkia e Tiranës do ta trajnojë me të gjitha kompetencat ligjore, me të gjithë të drejtat dhe detyrimet që lindin, me të gjithë hapat e transparencës financiare sepse shpesh në pallate do të mblidhen shpenzime për të rregulluar gjëra që nuk funksionojnë, pra një ashensor, një derë të prishur, një garazh që është jashtë funksionit. Pra gjëra të kësaj natyre. Pasi të marrë trajnimin administratori do të çertifikohet”, tha Veliaj më tej.

Tani nis punën dhe ndërmarja Eco Tirana ku qytetarët do të duhet të derdhin mbeturinat në mënyrë të diferencuar çka pritet të ndikojë në uljen e nivelit të ndotjes në kryeqytet.

Top Channel