Veliaj: Piramidën do t’ia rikthejmë qytetit dhe të rinjve

08/12/2016 00:00

Piramida do t’i rikthehet qytetit dhe të rinjve, është premtimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, duke përshëndetur vendimin e qeverisë që ky objekt ti kalojë pushtetit vendor. Veliaj tha se kjo godinë do të përdoret si qendër shumëfunksionale për organizimin e eventeve sociale e rinore, promovimin e artit, të kulturës dhe të teknologjisë.

“Mezi pres që t’ia rikthejmë qytetit Piramidën. Ideja e Bashkisë, bashkë me arkitektët e huaj  ndërkombëtarë që kanë kontribuar, është që ta kthejë qytetin në një qendër kulturore. Ashtu si në kohën time, kur Piramida ishte në fakt qendra e të rinjve dhe vlonte nga aktivitetet e shumta, edhe “RinFesti” të cilin sot e quajmë “Tirana Art-Fest”, bëhej aty, ndaj shpresoj që aty të performojnë edhe kampionët e ardhshëm të artit e të kulturës të shkollës “Qemal Stafa” ose fituesit e radhës të “Tirana Art-festit”. Është një lajm i mirë edhe për të gjitha zyshat që merren kryesisht me artin, kulturën dhe promovojnë super talentet që kemi te ‘Qemal Stafa’”, theksoi Veliaj.

Gjatë një pritjeje me mësues të gjimnazit “Qemal Stafa”, organizuar me rastin e festave të fundvitit, kryebashkiaku Veliaj theksoi se pas konsultimit edhe me arkitektë të huaj ndërkombëtarë, ideja e Bashkisë së Tiranës është që ta kthejë qytetin në një qendër kulturore, ku Piramida do të jetë në qendër të aktiviteteve kulturore e rinore në qytet.

Kryetari i Bashkisë e cilësoi tepër pozitiv edhe vlerësimin që Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Njohurive të Nxënësve (PISA) i bën reformave të ndërmarra në arsim. Veliaj tha se për herë të parë Shqipëria në 25 vjet bën kapërcimin më cilësor në rezultatet PISA për vitet e para të gjimnazit.

Top Channel